Liqeni i Treskës sipas gjitha gjasave edhe këtë sezon do të mbetet pa vizitorë. Qytetarët të indinjuar shprehen se edhe këtë vit vetëm mushkonjat do të freskohen këtu, sepse liqeni tashmë është shndërruar në kënetë dhe aspak nuk është i sigurt për larje apo freskim të qytetarëve.
Edhe pse në gjendje të mjerueshme, Liqeni i Treskës tek tuk vizitohet nga vizitorët. Dikush prej tyre me familje sa për të dal në ajër të pastër, apo për të bërë ndonjë zgarë. Një pjesë të tyre që i hasëm gjatë kësaj fundjave u shprehen se është për keqardhje që pushteti sillet në këtë mënyrë me këtë qendër rekreative, që sipas tyre është ndërtuar me parat e qytetarëve, kurse tani është lënë që të shkatërrohet dhe askush të mos kujdeset për të.
“Dikur ky vend këtu ishte oazë për gjithë qytetarët e Shkupit dhe më gjerë. Ndërkohë që sot duhet të kalojnë me qindra kilometra për të shkuar dhe freskuar qoftë në Ohër, Strugë apo Dojran. Krejt kjo për shkak të neglizhencës së autoriteteve që ta vënë në funksion këtë liqe”, kështu u shpreh një qytetar nga Shkupi.
“Uji nuk është i pastër ka shumë baktere, duhet ta gjallërojnë liqenin për të ardhur njerëzit këtu të freskohen, të lahen, të rreziten, të bëjnë zgarë, me një fjalë të kënaqen”, tha një tjetër qytetar.
“Që ky liqe të kthehet në jetë duhet të ndryshohen shumë gjëra. Tualetet dhe çdo gjë për rreth duhet të rregullohen të gjitha janë lënë pas dore”.
Qytetarët pyesin qeverinë dhe kreun e qytetit të Shkupit se pse ndërtojnë plazhe jofunksionale në qendër të qytetit, ndërkohë që nuk bëjnë përpjekje që ta vënë në funksion këtë objekt i cili në çdo kohë mund të grumbulloj deri në 10 mijë vizitorë.
“Turp i madh, mizëri. Si mund të japin 250 mijë euro për tre shelgje të vogla në Vardar, a nga ana tjetër asnjë denarë për këtë liqe. Kjo është tmerruese. 250 mijë euro për kot, derisa këtu e kanë vendin dhe hapësirën dhe me pak mjete mund ta kthejnë në funksion këtë liqe”, theksoi një vizitor i rregullt i Liqenit Treska.
Sipas organeve kompetente nevojiten afro 5 milion euro për rivitalizimin e tërësishëm të këtij kompleksi.
Liqeni i Treskës është ndërtuar në vitin 1978. Kompleksi përfshin 35 hektarë prej të cilëve një pjesë janë sipërfaqe të gjelbra ndërsa tjetra është ujë. Qendra punonte aktivisht deri në vitin 1989.
Bedri Rexhallari