Me rritjen e temperaturave dhe me afrimin e pushimeve verore, rritet edhe interesi i qytetarëve për destinacionet turistike. Balkon3 kësaj radhe vendosi t’jua prezantoj edhe një vend tjetër turistik ku Ju mund ti kaloni pushimet e juaja verore.
Ne do të mundohemi me pak fjalë, por shumë fotografi, t’ju ofrojmë një pamje sa më reale për Ksamilin. Fshat i vogël turistik që gjendet në Jug të Shqipërisë, më saktë 18 km në jug të Sarandës.
Ksamili është i përshtatshëm për turizmin familjar dhe është i vetmi destinacion bregdetar që ju ofron mundësinë t’i hipni një varke për vetëm 200 lek (100 denarë) dhe të shkoni e të drekoni në ishullin përballë, ose të zgjedhni një nga ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje e për të shijuar erën e thellë të jodit.
Ksamili është nga të paktat fshatra bregdetarë të Shqipërisë, ku mund të shkosh edhe me not nga njëri ishull në tjetrin, por kjo përveç se kërkon të jesh notar i mire, kërkon edhe guxim të madh.
Ksamili është destinacion i preferuar edhe për një numër të madh të vizitorëve nga Maqedonia. Megjithatë problem për atë që përtojnë të vozisin paraqet rruga e gjatë, diku mbi 500 KM. Në Ksamil nga Maqedoni mund të shkosh edhe përmes Greqisë, që në fakt është edhe destinacioni më i preferuar për shkak se rruga është shumë më e mirë.
Ndërkohë ata të cilët kanë dëshirë të ngrenë adrenalinën e tyre, mund të shkojnë edhe përmes Shqipërisë, më saktë të përshkojnë edhe Qafën e Llogorasë.
Ata që do të marrin makinën dhe do të nisen për Ksamil përmes Shqipërisë duhet të kenë parasysh se ky udhëtim ju mundëson të shijojnë gjithçka që bregdeti jugor i Shqipërisë ka për të ofruar.
Përgjatë këtij udhëtimi do të kaloni plazhe private ekskluzive, gjire të virgjër, grykëderdhje lumenjsh, bunkerët, si dhe formacione të mrekullueshme shkëmbore. Vetë ky udhëtim është një adrenalinë e paparë, që nuk ju bën thjesht udhëtarë por eksplorues.
Kështu pra, nuk duhet të keni ende mëdyshje, vizitojeni Ksamilin këtë verë.
Bedri Rexhallari